
Pyetjes së kush janë personat e shpallur në kërkim për ngjarjen e fundit në Elbasan, kryepolici Haki Çako i është përgjigjur duke thënë se “përbën sekret hetimor”.
Drejtuesi më i lartë i Policisë së Shtetit nuk arriti të formulojë emrin e personit që është shpallur në kërkim për goditjen e makinës së policisë, por garantoi se po bëhet maksimumi për kapjen e tij.
“Personi është identifikuar. Të gjitha veprimet proceduarale dhe hetimore janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Jemi në një proces intensiv të analizës me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në këto kushte kërkojmë angazhim maksimal edhe të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, të gjykatave dhe të të gjithë sistemit të Drejtësisë, duke u bërë pjesë e një barrikade të jashtëzakonshme që do t’i bëhet krimit”, tha kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Nga Elbasani, ku janë dislokuar qindra forca speciale, kryepolici ripërsëriti ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, kur tha se aksioni do të shtrihej në të gjitha zonat problematike të vendit.
“Në vlerësim edhe të porosive të dhëna nga ministri i Punëve të Brendshme, zoti Fatmir Xhafaj, në takimin e organizuar dje me drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, ne kemi ndërmarrë këtë operacion, i cili nuk do të jetë vetëm në qytetin e Elbasanit, por në të gjitha qytetet ku ne disponojmë informacione mbi bazën e analizave të detajuara të grupeve dhe të individëve, të cilët kanë aktivitet dhe veprimtari kriminale”, deklaroi më tej Çako.
Rreth 30 persona janë shoqëruar për verifikim në Elbasan, ndërkohë që janë ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme. Pak ditë më parë, gjatë një kontrolli rutinë, një mjet i drejtuar nga nëndrejtori i Policisë së Qarkut Elbasan u godit nga një makinë në pronësi të një personi të njohur për bizneset e tij.
Ndërkohë që opozita përfoli emrin e të birit, një personazh i njohur për policinë, si dhe të dhëndrit të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.
Top Channel