
Emisioni “Fiks Fare” tregoi në takimin e së mërkurës se qendra shëndetësore në Trebinjë, në zonën e Mokrrës në Pogradec, paguan një shofer autoambulance prej 10 vitesh, ndërkohë që automjeti është i amortizuar.
Mjeti iu dhurua qendrës shëndetësore nga ish-deputeti Maqo Lakrori në vitin 2005, gjatë fushatës elektorale. Autoambulanca funksionoi vetëm dy vite, ndërsa që nga 2007-a është jashtë funksionit.
Pacientët e kësaj zone transportohen drejt spitalit të Pogradecit dhe Korçës me mjete private, duke paguar nga 40 deri në 50 mijë lekë të vjetra. Megjithatë, në borderonë e qendrës shëndetësore figuron i punësuar prej 12 vitesh një shofer autoambulance.
Në redaksinë e “Fiks Fare” u ankuan banorë të fshatit Pleshisht dhe Trebinjë. Ata thanë se të sëmurët i çojnë në spital me kafshë dhe me makina private apo taksi, të cilat marrin nga 50-60 mijë lekë.
Ata thanë se ambulancë nuk mbajnë mend të kenë pasur, përveç një BÇ-je në kohën e komunizmit. Pas ankesave, gazetarët iu drejtuan infermieres së fshatit Pleshisht. Ajo tha se zona ka një autoambulancë dhe e përdorin për çdo rast kur ka nevojë.
Pas këtyre pretendimeve gazetarët shkuan pranë qendrës shëndetësore të Trebinjës. Në oborrin e godinës ndodhej autoambulanca. Por ajo ishte tejet e amortizuar dhe dukej se nuk funksiononte prej vitesh.
Drejtori i qendrës shëndetësore të Trebinjës, Genci Muço tha se i shërbejnë 15 fshatrave me një popullsi prej 3.200 banorësh. Ai tha se autoambulanca ka ardhur në këtë zonë në vitin 2005, gjatë një fushatë elektorale dhe u shtua në organikë një shofer. Mjeti shërbeu për 2-3 vjet dhe në vitin 2007 doli jashtë funksionimit.
Ai tha se i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë që ta mbyllin si vend pune dhe të shtojnë një infermier që të mbulojë disa fshatra. Muço theksoi se më parë ka qenë një shofer tjetër, ndërsa që në vitin 2013 shoferi është ndërruar dhe shërben me një makinë të tij.
I pyetur përse erdhi sërish një shofer kur nuk ka autoambulancë, ai tha se nuk ka kompetenca për të marrë personel. Më tej drejtori tha se ndryshimi i shoferit është bërë në kohën e rotacionit të pushtetit dhe shtoi se është më mirë të emërohet një infermiere sesa të ketë në organikë një shofer autoambulance.
Top Channel