Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Emiliano Shullazi kërkon që gjykimi kundër tij të vijojë sipas ndryshimeve të reja ligjore të hyra në fuqi në kuadër të reformës.
Bashkë me 4 të pandehur të tjerë, Shullazi këmbënguli përmes avokatëve që të zbatohen risitë e Kodit të Procedurës Penale të 1 gushtit 2017.
Në to parashikohet gjykimi me trupa 3-anëtarëshe, ndërkohë që që prej vitit 2004 Krimet e Rënda kanë në përbërje trupa me 5 gjyqtarë.
Qëndrimi i mbrojtjes, që siç ngjan po synon të riformojë trupën gjyqësore, u hodh poshtë nga Krimet e Rënda. Në këtë pikë avokatët kërkuan përjashtimin nga gjykimi të 5 gjyqtarëve që gjykojnë Shullazin.
“Do ta ngremë problemin edhe në instancat e tjera sepse mosrespektimi i kësaj dispozite bën që procesi të mos jetë në rregull ligjërisht dhe, çka është më e rëndësishme, që vendimmarrja e kësaj gjykate të bëhet nul”, ka deklaruar avokati Vladimir Meçe.
Por a po synon mbrojtja me këtë lëvizje të kthejë të pavlefshëm rrëfimin e dëshmitarit të mbrojtur Besnik Musaj, që foli kundër Shullazit para 5 gjyqtarëve? “Nuk do ta zbulojmë që tani strategjinë tonë”, ka thënë Meçe.
Por ndryshimet që po shfrytëzohen si kartë nga të pandehurit kanë përçarë edhe vetë gjyqtarët e të dyja shkallëve të Krimeve të Rënda.
Nga njëra anë gjykata e shkallës së parë ka vendosur të gjykojë me 5 anëtarë çdo proces të nisur më herët, nga ana tjetër shkalla e dytë është e ndarë në dy grupe.
Një pjesë e gjyqtarëve i lexojnë ndryshimet e reja njësoj si shkalla e parë, duke formuar trupa me 3 anëtarë vetëm për dosjet që do vijnë për t’u gjykuar pas 1 gushtit, ndërsa të tjerë kanë vendosur reformimin me 3 anëtarë për 2 çështje të vjetra në gjykim.
Top Channel