
Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor Admir Tafilajn dhe nëntë të akuzuar së bashku me të, që u akuzuan përgjatë një viti për katër akuza, më e rënda ajo e vrasjes me pagesë dhe krijimit të grupit të strukturuar kriminal.
Së bashku me 41-vjeçarin u dënua edhe bashkëpunëtori i drejtësisë dhe i konsideruari si i penduari, Kristi Pine, i cili po sipas qëndrimit të Prokurorisë mori dhjetë vjet heqje lirie.
I penduari Pine përfitoi nga statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë pasi tregoi se si ishte paguar dhe porositur nga Admir Tafilaj për të ekzekutuar për hakmarrje shtetasin Ibrahim Mani.
Ndërkohë, me 104 vite në total u dënuan edhe anëtarët e tjerë të grupit, mes të cilëve Elson Merdani dhe Dritan Peksani morën nga 35 vjet burgim secili, ndërsa Alfred Qefalia u dënua me 27 vjet heqje lirie.
Admir Tafilaj aktualisht po vuan edhe një dënim tjetër të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve Pjetrushi si dhe 22 vite burgim për vrasjen në tentative kundër ish-shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi.
Top Channel