Përfundon ura e re e Mënikut, u vjen në ndihmë 1200 banorëve të Ndroqit

18/09/2017 00:00

Ura e re e Mënikut ka përfunduar, duke u ardhur në ndihmë 1200 banorëve të Ndroqit në Tiranë, duke i dhënë fund kalvarit disavjeçar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve të urës së re, e cila tanimë u shërben jo vetëm kalimtarëve dhe automjeteve, por do të afrojë më shumë banorët dhe produktet bujqësore të zonës me tregjet në Tiranë.

“Jam shumë i lumtur që kemi mbajtur fjalën e dhënë për 1200 banorët e Mënikut. Ky është një lajm i mirë sepse këta banorë nuk janë më të izoluar nga qyteti, nga tregu, por janë më afër se kurrë me një urë që vjen si i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrisë shqiptare. Dua të falënderoj shumë Mimi Kodhelin dhe gjithë kolegët e Forcave të Armatosura. Patëm një bashkëpunim fantastik për t’u siguruar që një nga komunitetet më të mira të Tiranës të jetë realisht afër Tiranës, siç janë gjithë komunitetet e tjera”, tha Veliaj.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës po sheh me prioritet investimet që afrojnë produktet e zonës së Tiranës me tregjet, duke ndikuar pozitivisht dhe në rritjen e të ardhurave të këtyre zonave. “Në zonat ku kalojnë autostrada do të sigurohemi që nuk janë xhepa, por ka arsye që njerëzit ose të kalojnë për turizëm, siç ishte Shpella e Pëllumbasit, ose të kalojnë për aktivitete në natyrë siç është gjithë zona e Baldushkut, dhe mbi të gjitha për rrugë dhe për investime që afrojnë më shumë fermerët me tregun. Një fermer i zonës së Mënikut duhet të kalonte një peripeci të tërë mbi lumë për ta çuar produktin në treg. Sot kjo zgjidhet me urën. Investime të tilla që afrojnë produktet e zonës së Tiranës me tregjet do të kenë dhe prioritet nga Bashkia e Tiranës”, theksoi ai.

Kryetari i Bashkisë tha se investime të tilla do të shtrihen në nivel kapilar edhe në fshatra të tjerë të zonës së Ndroqit dhe të ish-komunave, duke zgjidhur përfundimisht dhe problemin e mungesës së infrastrukturës rrugore të zonave rurale me Tiranën

Ura ka një gjatësi 60 metra dhe një gjerësi 6 metra, ndërkohë që lartësia e saj është 4 metra. Falë këtij investimi është zëvendësuar ura e vjetër e cila shërbente vetëm për këmbësorët, por që për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme, ishte kthyer në një rrezik për jetën e banorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA