Vettingu edhe në polici; urdhri i Xhafajt përfshin Gardën dhe SHÇBA

16/09/2017 00:00

Urdhri i parë i firmosur nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka të bëjë me nisjen e vetingut brenda radhëve të policisë.

Këtij  procesi do t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit që nga drejtuesi më i lartë deri tek specialisti më i thjeshtë në radhet e Policise së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Në urdhrin e ministrit Xhafaj parashikohet ngritja e grupit të punës, që do të kryesohet nga zv.ministri i Brendshëm dhe do të asistohet nga misionet e asistencës së BE-së nëpërmjet Pameca V dhe ShBA-së nëpërmjet ICITAP, si dhe nga ekspertë të mirënjohur ndërkombëtare.

Pjesëmarrja aktive në këtë proces të asistencës ndërkombëtare është një garanci më shumë për një proces profesional, transparent dhe të besueshëm.

Ndër detyrat kryesore të punës së këtij grupi janë analiza e gjendjes aktuale të shërbimeve që do t’i nënshtrohen vetingut, si dhe hartimi e propozimi i një pakete të plotë ligjore për realizimin e këtij procesi.

Urdhri parashikon fundin e këtij viti si kohën kur grupi i punës do të ketë gati analizën dhe propozimet për ndryshimet ligjore.

Ky proces shënon një nga prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme, që është rritja e besimit të qytetarëve në organet e rendit.

Top Channel