
Operacioni “Vjeshtë 2017” kundër pasurive të vëna me të ardhura nga aktivitetet kriminale ka çuar në sekuestrimin e të tjera pronave, me vlerë 4 milionë euro.
Pesë apartamente dhe dy garazhe në Tiranë dhe Vlorë, si dhe 31 mijë metra katrorë truall në bregdetin e jugut janë pronat që i janë sekuestruar një shtetasi, identiteti i të cilit për momentin nuk bëhet i ditur nga policia për shkak të hetimeve që vijojnë.
Hetimi pasuror për këtë rast është iniciuar nga seksioni për hetimin e pastrimit të parave dhe aseteve kriminale në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe më pas në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë gjetur të tjera prova që kanë sjellë në vendosjen e sekustros preventive.
Konkretisht, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda janë sekuestruar 4 apartamente me sipërfaqe totale 450 metra katrorë në Tiranë, dy garazhe po në Tiranë, një apartament me sipërfaqe 65 metra katrorë në Vlorë, një sipërfaqe toke prej 31 metra katrorë në Drimadhe, Porto Palermo, Llaman dhe Himarë.
Burimet policore bëjnë të ditur se ka dyshime se personi që ka në pronësi këto asete i ka blerë ato me të ardhura nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Top Channel