Shqipëria shton trupat në Afganistan

16/09/2017 00:00

Në konferencën e përbashkët me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bardhyl Kollçaku, tha se Shqipëria konfirmon vazhdimin e misionit të saj në Afganistan dhe shtimin e prezencës së saj atje.

“Shqipëria do të mbetet e angazhuar për sa kohë të mbetet e nevojshme në misionin e NATO-s ‘Resolute Support’. Përpjekja jonë e përbashkët është Afganistani të mos kthehet në një vend të sigurt për terrorizmin ndërkombëtar. Prandaj, vitin që shkoi Shqipëria e dyfishoi prezencën e saj në dhe unë gjej rastin sot të ju bëj me dije që u deklarua në konference që ne do të shtojmë edhe me një togë tjetër prezencën në Afganistan. Kjo është vendosmëria e Qeverisë dhe e Forcave të Armatosura për të vijuar kontributin në Afganistan”, u shpreh Bardhyl Kollçaku, shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA.

“Sa i përket Kosovës nuk themi që nuk ka të drejtë të krijojë ushtrinë e saj, por kjo duhet bërë sipas procedurës së duhur dhe një afati kohor të caktuar. Për sa i takon anëtarësimeve të reja, NATO ka deklaruar të ashtuquajturën “politikë të dyerve të hapura” dhe nuk ka asnjë dyshim në këtë aspekt. Ka disa kritere që duhen plotësuar, interesi i përbashkët dhe konkurueshmëria e Forcave të Armatosura. Kemi disa vende aspirante që po punojnë për reformën në mbrojtje dhe ne po i asistojmë ato. Pasi të arrijmë nivelin që lejon anëtarësimi, besoj se procesi i negociatave politike do t’i hapë rrugë anëtarësimit të plotë. Ndërsa sa i përket çështjes së Rusisë, ne po ndjekim zhvillim atje, konkretisht stërvitjen që po zhvillojnë së fundmi, por nuk ka asnjë tregues që do të përbënte kërcenim direkt apo që Rusia po përdor stërvitjen si maskim për mësymje reale”, tha Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

Top Channel