
Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Pezës, veteranë lufte, zyrtarë të lartë të shtetit dhe pushtetit vendor morën pjesë këtë të shtunë në ceremoninë e organizuar në përkujtim të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, që shënoi bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.
Në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore, presidenti Ilir Meta e vlerësoi Konferencën e Pezës si një ngjarje historike që hodhi themelet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
“Konferenca e Pezës është një ngjarje e jashtëzakonshme, e cila hodhi themelet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe e cila bashkoi forcat më pozitive e më patriotike të Shqipërisë në një front të vetëm antifashist, që më pas përgatiti 29 nëntorin e vitit 1944. Ndaj jemi këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata përfaqësues që lanë dallimet politike dhe idetë e ndryshme dhe u bashkuan këtu në Pezë për një qëllim të përbashkët dhe madhor për çlirimin e vendit nga pushtuesi. Sot, pikërisht 75 vjet pas Konferencës së Pezes kemi një koincidencë në kuptimin e plotë: mblidhen shefat e shtabeve të të gjitha ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë.”, deklaroi Meta.
I pranishëm në ceremoni, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku theksoi se Konferenca e Pezës është një histori e cila rrezaton 75 vjet më pas mësime dhe momente shumë të rëndësishme për të sotmen e vendit tonë.
“Kur historia i ka thirrur, shqiptarët kanë ditur të bëhen bashkë, të mblidhen, të diskutojnë dhe të marrin vendimet e duhura për vendin dhe për të ardhmen. Dhe ky është sërish një mësim i madh për të gjithë ne sot, një moment kyç në hapat tona përpara integrimit europian, për të qenë së bashku dhe për të marrë vendimet e duhura për të ecur përpara”, tha Mazniku.
Të pranishmit në ceremoni kryen homazhe tek varri i Myslym Pezës dhe Varrezat e Dëshmorëve.
Si çdo vit, nuk munguan edhe idhtarët e Enver Hoxhës dhe komunizmit.
Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh. Gjatë gjithë ditës Parku i Pezës u kthye për qytetarët në një vend argëtimi e pikniku, ku festa pritet të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Top Channel