“Tmerri” i Palasës, sot një djalë shembullor

15/09/2017 00:00

Krimi makabër i Jorgo Zanit në Palasë, i cili vrau një 12-vjeçar, duket se ka qenë edhe zgjidhja për jetën e një të mituri, Kiços 9-vjeçar, po nga ky fshat.

Vitin e kaluar në “Fiks Fare” u ankua një zonjë e cila kishte shtëpinë e saj të verës në Palasë të Vlorës. Kiçoja ishte kthyer në tmerrin e fshatit, pasi hynte në çdo shtëpi dhe thyente, plaçkiste objekte të ndryshme, u priste pemët me sharrë e më pas i shiste këto objekte në shkëmbim të diçkaje për të ngrënë. 9-vjeçari nuk kishte një histori të lehtë.

Me dy prindër me probleme mendore, ai ishte braktisur nga komuniteti dhe institucionet shtetërore e mbi të gjitha nga shkolla. “Nuk më kanë çuar në shkollë. Nuk më duan dhe më thonë që jam hajdut”, shprehej ai asokohe.

Mëgjithese banorët ishin ankuar shumë herë në polici dhe në Bashkinë e Himarës, autoritetet nuk mund t’i jepnin një zgjidhje.

Zonja Antoneta Bollano, punonjëse e Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve në Bashkinë e Himarës, tha se tri herë kishin hapur proçes gjyqësor pranë Gjykatës së Vlorës, por nuk kishin marrë një zgjidhje për t’i hequr kujdesin prindëror 12-vjeçarit dhe më pas ta sistemonin në një institucion të kujdesit social të fëmijëve.

Të ndodhur përballë krimit të Jorgo Zanit në Palasë, pas shumë përpjekjesh më në fund Kiçoja u sistemua pranë Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë.

Sot, pas një viti ai ka ndryshur shumë. Ka nisur klasën e dytë, di të shkruajë dhe të lexojë. Të gjithë edukatorët, shokët dhe shoqet në këtë qendër sociale thonë fjalët më të mira për Kiçon, apo siç e quajnë tani, Kristianin.

Tashmë jeta e “hajdutit të Palasës” është shndërruar tërësisht në një jëtë dinjitoze për një fëmijë 9-vjeçar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA