
Rreth 3500 fëmijë në botë humbasin jetën çdo ditë për shkak të aksidenteve rrugore. E ndërsa përgjegjësinë kryesore për t’u kujdesur për ta e kanë prindërit, edukimi që në moshë të hershme mbi rregullat e qarkullimit rrugor i bën gjithnjë e më të zotë të kujdesen për veten.
Një garë ndërkombëtare me fëmijë nga 22 vende europiane mbi njohuritë e tyre për rregullat në rrugë synon t’i bëjë më të përgjegjshëm dhe të rrisë nivelin e edukimit mbi rregulloren e sigurisë së qarkullimit tek më të vegjlit. Vendi mikpritës këtë vit ishte Tirana.
“Kemi këtu kampionët e të gjitha vendeve europiane, ata të cilët i njohin mirë rregullat e sigurisë dhe për të cilat do të konkurojnë me njëri-tjetrin, në fund tre më të mirët do të kurorëszohen si fitues”, thotë Thierry Willemarck, presidenti Rajonal i FIA.
“Programi është i vlefshëm, sepse trajnon 800 mijë fëmijë në të gjithë Europën. Kur të kthehen në vendet e tyre do të jenë ata ambasadorë të sigurisë në rrugë për të trajnuar edhe të tjerët duke rritur përgjegjësinë mbi rregullat rrugore”, shprehet Laurienne Krid, Drejtore e Pergjithshme e FIA-s.
Kjo garë organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit prej 32 vitesh dhe këtë vit klubi mikpritës ishte Klubi i Automobilizmit në Shqipëri. Gara filloi në vitin 1986 dhe zhvillohet çdo vit në shtator.
Top Channel