
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson akuzoi Korenë e Veriut këtë të premte se po kërcënon mbarë botën, pasi Peniani lëshoi një tjetër raketë mbi Japoni, e dyta herë në më pak se një muaj, në kundërshtim të plotë me presionin e ndërkombëtarëve ndaj programeve raketore e bërthamore të tij.
Por, në përpjekjen e fundit për t’u përballur me këtë çështje që ka irrituar vazhdimisht fuqitë botërore, Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritej të mblidhej në orën 21 të kësaj mbrëmjeje (15:00 me orën lokale në Nju Jork) për të diskutuar mbi lëshimin e raketës, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë.
Këshilli 15-anëtarësh votoi unanimisht për forcimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut pas testit bërthamor të zhvilluar më 3 shtator, duke vendosur ndalimin e eksporteve koreano-veriore dhe pengimin e importeve të naftës bruto.
Koreja e Veriut ka lëshuar dhjetëra raketa nën drejtimin e Kim Jong-un, ndërsa ka përshkallëzuar programin e armëve bërthamore, me synimin për të goditur Shtetet e Bashkuara me një “raketë të fuqishme me mbushje bërthamore”.
Tillerson, në një fjalim me zyrtarë të Jashtëm, ka thënë se testet e fundit kanë kërcënuar mbarë botën dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara po punojnë ngushtësisht me aleatët rajonalë, Japoninë dhe Korenë e Jugut.
“Në Azinë Lindore, një regjim gjithnjë e më agresiv dhe gjithnjë e më i izoluar, si ai në Korenë e Veriut, po kërcënon demokracitë në Korenë e Jugut, Japoni, e ç’është më e rëndësishmja, së fundi ka shtuar kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke rrezikuar të gjithë botën”, është shprehur Tillerson.
Por, me një qëndrim edhe më të ashpër sesa kryediplomati amerikan, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, H.R. McMaster ka thënë se SHBA-të po e humbasin gjithnjë e më shumë durimin për zgjidhje diplomatike ndaj çështjes së Koresë së Veriut.
“Ne kemi qenë duke e shkelmuar kanaçen përgjatë rrugës, por duket se rruga ka përfunduar dhe jemi jashtë saj”, tha McMaster për reporterët. “Për ata që kanë komentuar se nuk ekziston një opsion ushtarak, po ju them se ekziston një i tillë”, tha ai, duke shtuar se gjithsesi, kjo nuk do të ishte zgjedhja e preferuar e administratës së Trumpit.
Top Channel