
Ish-oficeri i policisë, Kleant Musabelliu, i cili plagosi me armën e shërbimit biznesmenin Pëllumb Gjoka, mbrëmjen e 11 shtatorit në Tiranë, ka deklaruar para gjykatës se nuk ka patur asnjë qëllim paraprak për të plagosur atë dhe se kishte shkuar në takim së bashku me djalin që të sqaronin një zënkë mes dy fëmijëve të tyre.
Por, që në fillim të bisedës, tha Musabelliu, u përballa me agresivitetin e biznesmenit dhe personave që e shoqëronin, të cilët, sipas tij, e kanë qëlluar në kokë dhe kurriz me shpulla dhe grushte. Në këto momente, Musabelliu ka deklaruar se ishte frikësuar për sigurinë e djalit që e kishte me vete dhe ka nxjerrë armën e shërbimit.
“Kam për të shtuar se nuk do ta bëja kurrë një veprim të tillë, por e kam bërë vetëm për të mbrojtur jetën e djalit. Me sa mbaj mend, kam qëlluar në ajër, jo në rreze të drejtpërdrejtë. Kam qenë në një gjendje shumë të rëndë psikike”, tha Musabelliu.
Por, pavarësisht pretendimeve se ngjarja ka ardhur si pasojë e vetëmbrojtjes dhe tronditjes së fortë psikike, gjyqtari Artan Gjermeni vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për masën e sigurimit personal dhe jo të avokatit, i cili kërkoi arrest shtëpie.
Tanimë i takon hetimit për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një vrasje të mbetur në tentativë apo plagosje në tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes.
Top Channel