Grabit me thikë kazinonë, arrestohet 30-vjeçari në Tiranë (Video e grabitjes)

15/09/2017 08:10

Humbi një shumë të konsiderueshme parash në lojërat e fatit  dhe më pas vendosi ta grabisë kazinonë.

Kjo është aventura e 30-vjeçarit Drilon Niko, i cili nën kërcënimin e një thike arriti të grabiste një kazino në Bulevardin “Zogu i Parë” në kryeqytet, pak para mesnatës së të enjtes.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, 30-vjeçari duket teksa kthen përmbys banakun e kazinosë në kërkim të parave, pasi ka kërcënuar punonjësit e saj.

Prej andej nuk arriti të merrte vlera të mëdha pasi kazinotë shumicën e parave i mbajnë në minibankomate, ku lojtarët i terheqin vetë fitimet. 

Komisariati Nr.3 e arrestoi në kohë rekord Nikon, pasi ai ishte një frekuentues i rregullt i lojërave të fatit. Në deklarimet e para i riu është shprehur se e ka kryer grabitjen në gjaknxehtësi pasi jo vetëm që kishte humbur paratë, por më herët i kishte kërcnuar punonjësit e kazinosë që mos ta lejonin të luante në lojrat e fatit, pasi ishte i varur prej tyre.

Policia dyshon se i riu ka qenë edhe në gjendje të dehur, por tashmë ai akuzohet për veprat penale të “vjedhjes me dhunë” dhe “mbajtjes pa leje e armëve të ftohta”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA