
“Fiks Fare” ka rikthyer në vëmendje historinë e Ermira Rinxhit, 30-vjeçares e cila dhunohej nga burri, që sot ka nisur një jetë të re, por që ende ndihet në rrezik për shkak të kërcënimeve të reja nga ish-burri, pasi ai ka dalë nga burgu.
Denoncimi i 30-vjeçares u bë në emisionin investigativ rreth një vit më parë, kur ajo tregoi dhunën fizike dhe psikologjike që ushtrohej ndaj saj nga ish-burri dhe familja e tij.
Nëna e tre fëmijëve dhunohej vazhdimisht nga bashkëshorti dhe nëna e tij, e cila në videon e transmetuar në “Fiks Fare” u pa që e kërcënonte nusen e saj me anë të një thike. E gjithë ngjarja e rëndë zhvillohet në banesën e tyre në Shijak në prani të fëmijëve dhe në sy të punonjësve të policisë.
Imazhet e dhunës patën impakt shumë të lartë në publik, por edhe tek institucionet. Për gruan e dhunuar që kishte grumbulluar 9 urdhra mbrojtjeje sot ekziston një tjetër realitet.
Pasi qëndroi disa muaj në qendrën për gratë e dhunuara, Ermira ka arritur të stabilizojë jetën e saj. Jeton në një shtëpi me qira dhe punon për të mbajtur fëmijët. Por ndjenja e frikës e shoqëron gjatë gjithë ditës, pasi përsëri ka marrë kërcënime nga ish-bashkëshorti.
“Pas denoncimit në” Fiks Fare” jeta ime ndryshoi shumë, pasi ish-burri do të dilte nga burgu dhe do të jetonte me mua përsëri në të njëjtën banesë. Edhe ish-vjehrra ime që u pa se ç’donte të bënte ndaj meje dhe fëmijëve të mi, e cila na kanosi me thikë në dorë në prani të forcave të policisë. Falë stafit të “Fiks Fare” dhe ndihmës nga qendra e grave të dhunuara, sot kam një jetë tjetër. Por, akoma ndjehem e frikësuar nga ish-burri im, pasi më ka kërcënuar përmes telefonit. Kur kthehem në shtëpi mendoj nëse do t’i gjej fëmijët në shtëpi apo jo. Sa herë që lëviz, më duket sikur më ndjek një hije. Kam shumë frikë. Edhe unë jam ndjerë e kërcënuar si gjyqtarja që u vra. Shteti duhet të verë dorë si tek unë, ashtu edhe tek gratë e tjera të kërcënuara”, shprehet ajo.
Ermira tregon se ka përfituar bonus qiraje nga shteti. Ndërsa nevojat e tjera i plotëson me anë të rrogës. Ajo tregon se fëmijët ndjehen më të lumtur, shkollën po e frekuentojnë dhe janë më të qetë. Edhe vetë ndjehet e rilindur dhe këtë e reflekton. Shkëputja nga vuajtjet në Shijak dhe strehimi në një qendër i dukej e pabesueshme, sikur nuk do të realizohej kurrë. “Me të gjitha ato që më ndodhën, prisja më shumë nga shteti. Jam me urdhër mbrojtje deri në 21 dhjetor, por shteti më ka hequr pagesën që përfitoja me anë të këtij urdhri,” pohon Ermira.
Vështirësitë kanë qenë të mëdha ndaj dalja e ish-bashkëshortit nga burgu e ka trembur. Edhe pse divorcin e ka kryer para një viti, i ati i fëmijëve nuk e ka bërë kurrë pagesën ushqimore për fëmijët e vet. Madje ai ka shkuar edhe më tej duke i kërkuar që Ermira t’i hidhte vetë lekët në llogarinë e saj sikur këto lekë ishin hedhur nga vetë ai për plotësimin e detyrimeve karshi fëmijëve. “Në 10-ditëshin e pushimeve që fëmijët duhet të shkonin tek babai, ai nuk i pranoi, pasi unë nuk iu përgjigja që t’i jepja një pagesë,” tha ajo.
Ndryshimi më i madh dallohet tek fëmijët e Ermirës. Tregojnë me gëzim për shkollën e re, shokët e rinj që kanë njohur dhe faktin se tani nuk i tremben dhunës dhe mund të rrinë pa frikë në familje. Vajza 10-vjeçare, edhe pse ka humbur 2 vite shkollë, e ka hedhur mbrapa këtë fakt. “Tani jemi më të lumtur, nuk kemi më frikë. Unë kam humbur 2 vite, por tani shkoj në shkollë, pasi kur jetoja me babin nuk më lejonte të shkoja”, shprehet ajo.
23 vjeçarja e dhunuar: Ish-bashkëjetuesi e digjte me cigare vajzën 2-vjeçare
Në shtëpinë e Ermirës takojmë edhe një tjetër grua të dhunuar me të cilën është njohur në strehëzën ku kanë jetuar, por që i bashkon e njëjta histori: dhuna sistematike që ushtrohej mbi to. 23-vjeçarja tregon kalvarin e vuajtjeve të saj. Me 2 urdhër-mbrojtjeje ajo ende fshihet bashkë me dy fëmijët e saj, 4 dhe 2 vjeç. “Urdhrin e parë e kam marrë kur isha shtatzënë dhe kam ndenjur një vit në qendër. Më pas, më ndihmuan të sistemohem me punë dhe me shtëpi, por unë për hir të fëmijëve u ktheva dhe një herë tek ish-bashkëjetuesi. Filluan përsëri të njëjtat probleme, kështu që e denoncova sërish. Mora një tjetër urdhër-mbrojtjeje për një vit, por vetëm 2 muaj ndenja në qendër”, shprehet ajo. Për arsyen se 23-vjeçarja ishte rikthyer tek bashkëjetuesi, qendra nuk e mbështeti si herën e parë tregon ajo. Edhe pse e larguar nga ai, bashkëjetuesi e zbulon banesën e saj dhe i shkonte në shtëpi i pirë, ku godiste atë dhe fëmijët njëkohësisht. Ajo tregon se ndaj dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve, i ati i tyre kishte bërë 3 vite burg. “Gjëja më makabre ishte se vajzën 2-vjeçare e digjte me cigare, vetëm pse ishte vajzë”, tregon ajo me lot në sy.
Në të lexohet qartë frika pasi edhe pse bashkëjetuesi ishte arrestuar, të nesërmen ai kishte arritur të arratisej nga komisariati. Sot ai endet i lirë, edhe pse është në kërkim nga policia. “Kërkoj nga shteti të më gjejë një punë që të mund ta përballoj jetën e të rris fëmijët, asgjë tjetër”, apelon 23-vjeçarja. Momentalisht jeton me qira, pasi ka përfituar bonus qiraje. Jetesën e përballon me vetëm 120 mijë lekë të vjetra që i përfiton nga urdhri i mbrojtjes. Urdhër që mbaron në muajin dhjetor.
Aktualisht është në kërkim të një pune, ndërsa ende nuk ka regjistruar fëmijët në kopsht e çerdhe, pasi siç thotë vetë ajo “nuk ka vend për ta”.
Top Channel