Çanta e shkollës, mjekët: Fëmijët, dëmtime fizike nga pesha

15/09/2017 00:00

Pesha e rëndë e çantës së shkollës është shqetësimi më i madh i prindërve, fëmijët e të cilëve shkuan këtë shtator për herë të parë në shkollë.

Ata ankohen për numrin e teksteve dhe trashësinë e tyre, ndonëse shpesh ndikojnë dhe vetë në rëndimin e çantës.

Elma është një nga vajzat që këtë vit ka nisur klasën e parë, por çanta e saj peshon shumë. Vetë vogëlushja rezulton 23.4 kg, ndërsa çanta që mban mbi shpinë 4.3 kg. Ajo shprehet se çanta i rëndon shumë.

“Mezi e ngre. Kam marrë të gjithë librat sepse janë ditët e para, bukën, portofolin, mjetet, ujin dhe facoletat”, shprehet Elma.

Për mjekët, ky është një alarm, pasi kjo ndikon jo vetëm në shtrembërimin e posturës. “Sigurisht që shtrembërohet. Fëmija ashtu siç ka sistemin e shijes mund të ketë të ndërtuar sistemin e lodhjes. Me ato pesha në shkollë ai mund të paraqitet i lodhur dhe me dhimbje, që i shpreh me mungesë vëmendjeje. Dhe mësuesit i etiketojnë pastaj si fëmijë të pavëmendshëm”, deklaron doktor Apostol Vaso, mjek algolog.

Sipas doktor Vasos, një studim i bërë me 1.500 nxënës të moshave nga 9 në 11 vjeç tregon se 60% e tyre kanë rezultuar me shtrembërime në posturë, ndërsa 40% janë ankuar për dhimbje.

Në Ministrinë e Arsimit thonë se po diskutohet me botuesit për të të lehtësuar peshën e librave. “Një nga mënyrat mund të jetë që libri të ketë një letër me peshë më të vogël, pavarësisht se letra ka një ndryshim në ngjyrën e saj. Kemi menduar edhe për ndarjen e tekstit në pjesë, që nxënësi mund t’i përdorë në periudha të ndryshme. Sigurisht që për vitin tjetër tekstet janë shitur dhe nxënësit janë pajisur me to”, thotë Zamira Gjini, drejtoreshë e Arsimit Parauniversitar.

Por deri vitin tjetër, prindërit kanë gjetur metoda alternative për të lehtësuar çantën e fëmijëve të tyre, duke i ndarë vetë librat në kapituj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA