Tiranës i shtohet dhe një shkollë e re, përurohet “Betim Muço”

14/09/2017 00:00

“Betim Muço” është shkolla e re që i shtohet kryeqytetit, e ndërtuar në një fushë që të braktisur që më parë përdorej për mbeturina.

Sot kjo shkollë mirëpret 1200 nxënës të Kombinatit, dhe për nga ndërtimi është ndër më të mirat e Tiranës me kushte moderne.

“Jam shumë i lumtur që më në fund ky projekt u bë realitet. Kemi një mundësi fantastike që ta nderojmë Betimin, jo me fjalime, jo me patetizma, jo me pllakata, por me një institucion, i cili me gjasë do të frymëzojë nesër djem dhe vajza të shkëlqyer, që do të rriten me dashuri në një ambient të ngrohtë, nga mësues që do të investojnë shpirtin, zemrën, dijet e tyre për ta”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se ndërtimi i shkollës së re është mënyra më e mirë për të rritur një gjeneratë të mirëarsimuar dhe të denjë për qytetin e Tiranës. Siç u premtua një muaj më parë, për të rritur cilësinë e mësimdhënies, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, kanë përzgjedhur mësuesit me rezultatet më të mira në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

“Kemi mbajtur një premtim që bëmë përpara disa ditësh, që këtu do të sillnim mësuesit më të mirë. Realisht kemi marrë mësuesit që janë kualifikuar më lart në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’. Vetëm garancia që infrastruktura cilësore do të përputhet dhe me mësues cilësorë, është ajo që e bën një prind ta besojë gjënë më të çmuar që ka. Ndaj, duam që jo vetëm kushtet të jenë cilësore, por duam gjithashtu që edhe mësimdhënia të jetë cilësore”, tha ai.
 
Për të mbështetur dhe nxitur nxënësit ekselentë, Bashkia e Tiranës do të akordojë 3 mijë bursa.

“Si Bashki e Tiranës kemi vendosur 3 mijë bursa këtë vit. Kush del me 10-ta, do të ketë edhe një bursë nga Bashkia e Tiranës. Jo se besojmë që 10-tat duhen shpërblyer patjetër me para, por është një mënyrë për të thënë që në familjen tonë të madhe 1 milionëshe të Tiranës, pavarësisht vështirësive, do sillemi si çdo familje tipike shqiptare, që kur vjen puna te fëmijët, apo te më të mirët, nuk kursen. Ashtu siç nuk kursejmë për çekun e bebes për të mirëpritur ata që bëhen qytetarë e rinj të Tiranës, me të njëjtën dashuri duam që të shpërblejmë ata që janë me të gjitha 10-ta”, nënvizoi Veliaj.

Shkolla e re 9-vjeçare “Betim Muço” ka 27 klasa dhe 6 laboratorë, dhe do mbulojë nevojat e 1200 nxënësve. Gjithashtu, shkolla ka një palestër dhe 3 terrene sportive të jashtme, të cilat përveç shkollës, do t’i shërbejnë gjithë zonës së Kombinatit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA