Lagështia, aksidente në Rrugën e Kombit

12/09/2017 00:00

Rajoni i Kukësit gjatë 24 orëve të fundit është përfshirë nga reshje shiu dhe erëra të forta duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve sidomos në mesnatë.

Reshjet e shiut dhe prania e lagështisë në rrugë solli probleme edhe në Rrugën e Kombit.

Një kamion dhe një autoveturë që po udhëtonin drejt Kosovës, dolën nga rruga në segmentin Kukës-Morinë. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së hënës, dy kilometra larg Doganës së Morinit.

Kamioni drejtohej nga një shtetas maqedonas. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje tha se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin gjate frenimit nga prania e lageshtisë në rrugë, e për pasojë kamioni ka devijuar duke dalë jashte rrugës e përplasur me skarpatën e anësore.

E njejta situatë ndodhi edhe me autoveturën që drejtohej nga një shtetas kosovar, i cili gjatë manovrimit doli nga rruga.

Fatmirësisht nga aksidentet nuk pati të lënduar, por vetem dëme materiale. Në vendngjarje shkuan edhe zjarrfikësit e Bashkisë Kukës për të larë rrugën për shkak se nafta dhe vajrat lubrifikantë që u derdhën mund të shkaktonin aksidente të tjera.

Top Channel