Një ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar, 16 anëtarë propozojnë rregulloren e re: Kush ka marrë bursa nga organizatat e majta, s’mund të jetë drejtues dhe deputet në PD Dy herë kryeministër, një herë në krye të opozitës në Parlament, prej 12 vitesh një gjë nuk kishte ndryshuar në jetën politike të Sali Berishës. Prej vitit 2005 e deri pak muaj më parë, ai ishte “mbreti” i foltores së Kuvendit.
Por të martën, edhe ky mbretërim i politikanit të vjetër demokrat u duk se shkoi drejt fundit.
Sali Berisha: Politika juaj e jashtme është një sallatë maqedonase…
Gramoz Ruçi: Koha mbaroi zoti Berisha, faleminderit. Ulu! Jo s’ka më asnjë sekondë për askënd.
Tre vite më parë, Gramoz Ruçi si kreu i deputetëve socialistë u ankua për këtë te kryetari i asaj kohe i Parlamentit, Ilir Meta.
“Kreu i ekzekutivit shqiptar dhe kryetari i mazhorancës, zoti Rama ka folur vetëm 5 orë e 23 minuta, ndërsa kreu ‘de facto’ i opozitës shqiptare, Sali Berisha ka folur 12 orë e 46 minuta”, shprehej Ruçi në vitin 2014.
Tre vite më vonë, tashmë në kolltukun e Metës dhe me timonin e Parlamentit në duar, Gramoz Ruçi vendosi që ankesën e vet të dikurshme ta zgjidhë po vet.
Gramoz Ruçi: Zoti Berisha, ulu e mos e tepro tani, as në planin etik, as politik e as procedurial. Ulu të lutem!
Demokratët kundërshtuan dhe kërkuan vijimin e fjalës së Berishës, por tashmë kohërat kanë ndryshuar. Berisha, këtej e tutje do ta ketë mikrofonin vetëm për 20 minuta. Sigurisht, ai mund të flasë edhe më gjatë. Por tashmë nuk do ta dëgjojë askush. Ilir Meta është në presidencë, karrigen e tij, ashtu si edhe timonin, e ka një parti tjetër.
Ndiqni më shumë nga fjala e Berishës në Kuvend
Berisha-Ramës: Përdor krimin për qëllimet e tua
Në seancën parlamentare të kësaj të marte, ish-kryeministri Berisha ka përsëritur akuzat ndaj pasardhësit të tij sa i takon kultivimit të drogës.
Në fillim të fjalës së tij, Berisha i ka bërë Ramës një ftesë aspak të zakontë. “Hajde të shkojmë të bëjmë bashkë testin e drogës, ku të duash”, ka thënë Berisha, i cili më pas ka vijuar akuzat.
“E mbushe Shqipërinë me drogë. Opozita, ose duhej të pajtohej me këtë, ose duhet të ndiqte kushtetutën morale dhe qëndroi kundër. E denoncoi kudo. Edhe tani janë tonelata drogë që presin të shiten. Qeveria jote është qeveria e drogës dhe kushtetuta morale nuk e pranon atë”, ka deklaruar Berisha.
Sipas tij, lidhjet me botën e krimit për kryeministrin Rama kanë qenë një domosdoshmëri për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve.
“Që një kryeministër të shtrijë influencën e tij përtej ligjit instrumenti i duhur është krimineli. Ata marrin përsipër të vrasin. Zotërisë i duhet krimi për t’i thënë kryetarit të opozitës ‘e nxorre kokën në dritare…’. I duhet për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve, për ta përdorur si hanxhar kundër mediave. A mund të jetë kjo një shumicë e kushtetutës morale? Jo, kurrën e kurrës”, ka thënë Berisha.
Kur ka përfunduar koha, ish-kryeministri është përpjekur të vazhdojë përtej minutazhit të tij, por kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka bërë që ai të ulet në vend.
“Zoti Berisha, koha mbaroi. Ju lutem uluni në vend dhe mos më detyroni të marr masa disiplinore e proceduriale”, ka thënë Ruçi që ka shpërfillur insistimin e deputetëve demokratë. Në këto kushte, Berisha është kthyer në ulësen e tij.
Top Channel