Ambasada e Zvicrës, 25 vite në Shqipëri

12/09/2017 00:00

Sivjet shënohen 25 vite që nga hapja e Ambasadës së parë zvicerane në Shqipëri. Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog, ku të pranishëm ishin diplomatë, ministra e kryetarë bashkie, ambasadori zviceran theksoi lidhjet e forta midis Zvicrës dhe Shqipërisë, si dhe progresin e vendit tonë gjatë këtyre viteve.

“Shqipëria është përfshirë në një axhendë reformash dinamike dhe është e përkushtuar për të ecur përpara. Kjo është një arsye, e një arsye e mirë madje, që Zvicra vazhdon ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian”, tha Christoph Graf, ambasador i Zvicrës në Shqipëri.

E konceptuar si një ngjarje jo vetëm diplomatike, ky 25-vjetor do të shtrihet në disa aktivitete, duke nisur që nga ato që kanë në fokus zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, por edhe aktivitete kulturore, një prej të cilave është edhe ekspozita me portrete të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, nga fotografi Roland Tasho, në ambientet e “KOD”-it në Kryeministri.

Top Channel