“Dua t’ju uroj të gjithëve nga zemra gëzuar vitin e ri shkollor”. Ky ishte urimi i kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për nxënësit e 191 shkollave të sistemit parauniversitar në kryeqytet.
“Përveç katër shkollave të reja që do të hapim këtë vit, ne do të fillojmë edhe 16 shkollat e tjera për tu siguruar që përfundimisht e mbyllim çështjen e arsimit me dy turne në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.
Sipas tij, sot vetëm dy gjimnaze funksionojnë me dy turne, ndaj, shtoi ai, tani presim dhjetat: “Nuk e them për batutë, por për faktin që Tirana ka nevojë për djem dhe vajza të shkëlqyer, që punët që kemi nisur t’i çojnë akoma më lart”.
Urimi për 495 000 nxënësit që nisin vitin shkollor sot erdhi edhe nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila vlerësoi punën e bërë nga Bashkia Tiranë për transformimin e e ambienteve shkollore në qendra komunitare.
“Kemi detyrimin për të mësuar një histori të re për të ardhmen e fëmijëve. Një histori të re edukimi dhe arsimimi në shkolla që nuk mbyllen kur mbaron ora e fundit e mësimit, por në shkolla që funksionojnë edhe përtej përmes aktiviteteve kulturore, artistike e sportive. Për të finalizuar një projekt të madh: kthimin e shkollave në qendra komunitare”, tha Nikolla.
Top Channel