
Vitit i ri shkollor duket se nuk do të nisë mbarë në të gjithë qarkun e Tiranës. Ndonëse Bashkia e Tiranës garanton se është gati me 192 shkolla dhe se janë marrë masat, nuk janë kaq optimiste Bashkia e Kavajës dhe ajo e Kamzës, të cilat drejtohen nga opozita.
“Ky vit i gjen shkollat e kryeqytetit në gjendje shumë më të mirë se vitin e kaluar. Këtë vit ka filluar zgjidhja e problemit të mësimit me dy turne. Synimi ynë është që në fund të mandatit të frenohet përfundimisht ky fenomen”, deklaroi Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.
Në Bashkinë e Kavajës, ku ka vetëm 30 ditë që janë në detyrë drejtuesit e rinj, thonë se ka probleme pasi nuk janë bërë investime. Sipas tyre, kjo situatë është e tillë për shkak se pushteti lokal nuk është në të njëjtin kah me atë qendror.
“Problem urgjent janë disa shkolla në zonat rurale, si në Luz, në Helmas, ku shkollat rrezikojnë të shkatërrohen duke rrezikuar fëmijët. Gjithashtu, pushteti lokal dhe ai qëndror nuk janë në të njëjtin unison”, nënvizoi Përparim Caca, nënkryetar i Bashkisë së Kavajës.
“U bënë 5 vjet që në Kamëz nuk kemi investim në shkolla”, tha më pas nënkryetari i Bashkisë së Kamzës. Por kreu i Këshillit të Qarkut u ka shpjeguar atyre që mund të aplikojnë për fonde edhe tek donatorët.
“Por nga ana tjetër stafet duhet të jenë të kujdesshme. Është e pafalshme që oborri të jetë i pamirëmbajtur. Nuk mund të vijë dikush të investojë një projekt të gatshëm kur ndërtimet pa leje futen si çiban brenda mureve të kopshteve”, deklaroi Aldrin Dalipi.
Të gjitha problematikat u evidentuan në një mbledhje të posaçme të thirrur nga prefekti i Tiranës, Admir Abrija, i cili garanton bashkëpunim dhe mbështetje edhe për bashkitë që drejtohen nga opozita.
Top Channel