Ferma e derrave rrezikon 2 mijë bagëti

08/09/2017 00:00

Rreth 2 mijë krerë bagëti rrezikojnë të ngordhin në fshatrat Povelcë dhe Darëzezë.

Shkak për këtë është ndotja e tyre nga mbetjet organike dhe kimike që derdhen nga një fermë derrash që ndodhet aty pranë.

Barinjtë e staneve thonë se pas fatkeqësisë që ndodhi nga përmbytja, ku u mbyten qindra krerë dele dhe lopë, kjo është një tjetër goditje që po u dëmton stanet e tyre.

Sipas barinjve, deri më tani kanë ngordhur rreth 80 krerë dele, ndërkohë që më shumë se 100 krerë të tjera kanë patur ndërprerje shtatzënie.

Megjithëse janë ankuar te kryetari i njësisë vendore Dërmenas, ky shqetësim ende nuk është zgjidhur.

Veç banorëve të fshatrave përreth në këtë zonë kullosin bagëtite nga pranvera deri në vjeshtë edhe barinjtë që vijnë nga zonat veriore dhe jug-lindore.

Ndotja e kanaleve kullues është shqetësim edhe për peshkatarët e zonës. Uji i ndotur i kanaleve kullues derdhet në kolektorin kryesor, i cili më pas përfundon në Detin Adriatik, duke ndotur edhe bregdetin e plazhit të Darëzezës.

Barinjtë dhe peshkatarët kërkojnë ndërhyrjen urgjente të shtetit për zgjidhjen e këtij problemi.

Top Channel