Veliaj: Pas kopshteve të Tiranës, fokusi në zonat rurale

07/09/2017 00:00

Pas kopshteve në Tiranë, bashkia do të fokusohet në ato në zonat rurale. Kopshti 18 në njësinë bashkiake nr. 2 po rikonstruktohet dhe kryebashkiaku Veliaj tha se cilësia e lartë në kopshtet publike ka rritur ndjeshëm dhe kërkesat.

“Po përpiqemi të kapim çdo ditë, që viti i ri shkollor të na gjejë gati me kopshtet, çerdhet e shkollat e Tiranës. Kësaj here jam disafish më i lumtur sepse kopshti i fundit në “buqetën” e kopshteve që kemi rregulluar në Tiranë qëllon që është kopshti im dhe siç thotë ajo shprehja: “Këpucari këpucët e veta i rregullon në fund”, edhe kopshti im në fakt po rregullohet i fundit, megjithatë është lajm i mirë jo vetëm për mua, por edhe për prindërit që fëmijët e tyre janë të detyruar t’i çojnë në kopshtet 40 ose 41”, tha Veliaj.

Veliaj tha se është programuar që vitin e ardhshëm t’i kushtohet një vëmendje më e madhe çerdheve dhe kopshteve në zonat rurale për t’u siguruar që Bashkia e Tiranës i trajton qytetarët e vet njësoj, pavarësisht faktit nëse jetojnë në fshat apo në qytet.

“Kemi planifikuar që vitin tjetër fokusin ta kemi në kopshtet e çerdhet e zonave rurale. Kemi shumë kërkesa në Ndroq, në Pezë, në Vaqarr. Do të duhet të ofrojmë shërbime edhe atje, përndryshe do të riskojmë që të përsërisim historinë e shkollave ku të gjithë transferohen në Tiranë nga zonat rurale, sepse preferojnë shërbimin e Tiranës. Nëse do të ofrojmë të njëjtin shërbim kudo, atëherë do ulet edhe ky presion për shërbime, edhe në trafik, por edhe në kosto financiare të gjithë atyre që duhet të lëvizin përditë, për të marrë shërbimet në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se rikonstruksioni i kopshteve dhe çerdheve publike ka rritur ndjeshëm edhe kërkesën e qytetarëve për t’i çuar fëmijët e tyre në to.

Top Channel