
Guardia di Finanza publikoi pamjet e operacionit që çoi në ndalimin e jahtit me 4 tonë drogë, në bordin e të cilit ndodheshin 3 shtetas shqiptarë, të cilët u arrestuan.
Sipas Njësisë Operacionale të Barit, trafikantët fillimisht tentuan t’i shpëtojnë ndjekjes, duke mos iu bindur thirrjeve për ndalim, por arratinë nuk e patën të gjatë.
Në brendësi të mjetit luksoz, i gjatë 17 metra, i pajisur me flamur amerikan dhe që dyshohet të jetë marrë me qira, u gjetën 185 pakot me kanabis, vlera e të cilit në tregun italian do të kalonte 40 milionë eurot.
Zyrtarë të Guardia di Finanza deklaruan se për këtë rast dha bashkëpunimin e saj edhe policia shqiptare.
Nga hetimet e para rezulton që jahti të jetë nisur nga bregdeti malazez dhe që tre trafikantët, të moshave 54, 28 dhe 26 vjeç dhe banues në Tiranë e Durrës, të kenë ikur në këtë vend duke shfrytëzuar kufirin shqiptar.
Zyrtarët e GdF nënvizuan se hetimet janë përqendruar në zbulimin e origjinës së drogës, e cila është një nga sasitë më të mëdha të kanabisit që është sekuestruar kohët e fundit. Në total për këtë vit janë kapur 28 tonë dhe janë arretsuar 35 skafistë e trafikantë.
Top Channel