Gratë ankohen për punën; në një vit 600 raste

06/09/2017 00:00

Lirie Haxhia, e cila udhëton prej kohësh mes maleve për të dhënë mësim nga fshati Funarë në Krrabë të Vogël, tashmë që është shtatzënë e shikon të pamundur këtë sakrificë.

Me shpresën se do t’i respektohen të drejtat pasi ka trokitur në shumë dyer, gruaja u ankua tek Avokati i Popullit.

“Kërkoj që të mos shkoj në Krrabë që të torturoj veten time dhe të humb fëmijën. E kam fëmijën e parë”, thotë për Top Channel, Lirie Haxhia.

Vetëm për një vit 600 gra janë ankuar tek Avokati i Popullit  dhe problemi i tyre parësor nuk ka qenë dhuna, por largimi nga puna.

“Janë të drejta të cilat shkelen në tërësinë e tyre, edhe e drejta për punësim, edhe për barazinë sa i përket përfitimit apo marrjes në punë nga institucione të ndryshme, edhe sa i përket dhunës në familje. Ai që bën ndryshimin është ndryshimi i mentalitetit të njerëzve dhe edukatës së njerëzve dhe bërjen e kësaj gjëje një prioritet kombëtar për këtë qeverisje”, thotë Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.

Sipas Avokates së Popullit dhuna ndaj gruas ka forma të ndryshme dhe së fundmi ka ndërgjegjësim për denoncimin e saj. Por, ndërsa mekanizmat kundër dhunës ekzistojnë, Avokatja Ballanca këmbëngul se ligji për urdhrin e mbrojtjes duhet rishikuar.

“Ligji duhet riparë në kuadër të një zbatimi më efektiv të tij në mënyrë absolute. Pra, duhen mekanizma që nëse ka shkelje automatikisht të zgjatet urdhri i mbrojtjes, automatikisht nëse shkelen, shkelësit të dënohen me burgim dhe nga ana tjetër, edhe ata persona të ligjit, që nuk e zbatojnë dhe nuk ndërhyjnë në rastet e urdhrave mbrojtës, duhet të kenë edhe ata masa disiplinore shumë të rënda që duhet të merren ndaj tyre”, propozon Avokatja e Popullit. 

Në një vit kërkuan urdhra mbrojtjeje 1182 gra dhe 72 burra për të cilët gjykata vlerësoi se ishin dhunuar nga bashkëshortet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA