Gazmend dhe Aurel Pirra janë dy ish-emigrantë të cilët vendosën të kthehen në Shqipëri për të investuar. Ata e nisën me mbjelljen e një sipërfaqeje prej 5 hektarësh me domate në Sopez të Divjakës.
Si fillim ishin problemet me mungesën e ujit që i detyruan të ndërhyjnë me paratë e tyre në kanalet e dyta dhe të treta.
“Prodhimi qe i mbarë, por vuajtëm nga mungesa e ujit. Uji erdhi në qershor, ndërkohë që ne e kishim bërë gati këtë që në prill. Të mbjellat u reduktuan the thatësira bëri të vetën”, tregon Gazmend Pirra.
Shumica e bimëve u tha dhe dëmi shkoi në 3 milionë lekë. “Ne lamë emigracionin dhe thamë të bëjmë diçka këtu në vendin tonë, por duket e pamundur. Asnjë ndihmë nga shteti, kanalet i kemi pastruar vetë”, thotë Aurel Pirra.
Thatësira e pazakontë e verës së këtij viti nxorri në pah problemet më të rënda të sistemit ujitës në Lushnje. I ndërtuar në vitet ‘70, ky rrjet u dëmtua në masën 80% gjatë tranizicionit.
Një pjesë u zaptua nga ndërtimet pa leje, pjesa tjetër u mbulua nga mbeturinat. Rreth 500 km kanale ujitëse kanë nisur të rehabilitohen, por këtë vit nuk dhanë asnjë efekt tek fermerët e Myzeqesë.
Top Channel