SHBA, eliminohet skema në mbrojtje të emigrantëve të rinj

05/09/2017 00:00

Skema e administratës “Obama” për të mbrojtur emigrantët e rinj pa dokumente do të eliminohet. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Sessions konfirmoi zyrtarisht vendimin e qeverisë, duke thënë se programi i njohur me siglën “DACA”, të cilin e cilësoi një mënyrë për të shmangur ligjet e emigracionit, do të zhbëhet gradualisht.

“DACA”, ose Shtyrja e Veprimit ndaj Emigrantëve Fëmijë, u miratua nga presidenti amerikan Barack Obama në vitin 2012 dhe mbron rreth 800 mijë emigrantë, kryesisht nga vendet latine, që mbërritën në SHBA ilegalisht si të mitur.

Presidenti Donald Trump u shfaq i ashpër ndaj emigracionit gjatë fushatës dhe premtoi anulimin e “DACA”-s sapo të zgjidhej, megjithëse më vonë pranoi se ishte një temë shumë e vështirë.

“Kombi duhet t’i vendosë një kufi numrit të emigrantëve që pranojmë çdo vit. Nuk mund të pranojmë këdo që dëshiron të vijë këtu, kaq e thjeshtë është”, tha Jeff Sessions, kryeprokuror i SHBA-ve.

Vendimi i qeverisë u sulmua nga demokratët dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e cilësoi një akt politik mizor frike. Programi “DACA” u ofron emigrantëve të jashtëligjshëm, që kanë mbërritur në SHBA si të mitur, leje pune dhe studimi, duke i mbrojtur nga deportimi. Në këmbim të dosjes së pastër, studimeve të diplomimit apo shërbimit ushtarak, SHBA shtyn me dy vite çdo veprim ndaj statusit të tyre të emigrimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB