
Policia e Vlorës ka sekuestruar 212 kilogramë hashash dhe ka arrestuar një person gjatë operacionit të koduar “Fillim Vjeshte”.
Operacioni është kryer në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ku policia thotë se kishte marrë informacione në rrugë operacionale se në një banesë dykatëshe në këtë zonë fshihej lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti sasinë prej 212 kilogramësh hashash dhe arrestoi shtetasin Dilaver Pecaj, 41 vjeç, banues në fshatin Trivllazër të Vlorës.
Ky shtetas akuzohet së bashku me shtetasit me inicialet F.P., 47 vjeç dhe A.M., 34 vjeç për “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.
Policia thotë se po vijojnë verifikimet dhe veprimet, me qëllim sekuestrimin e banesës për të cilën dyshohet se është e përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve.
Top Channel