Manjola Bejleri, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, u bën apel grave dhe kujtdo që dhunohet në familje që të denoncojë dhe të mos tërhiqet nga kërkesat për urdhër-mbrojtjeje.
Por, sipas gjyqtares, çdo shtetas i dënuar për dhunë duhet që edhe pasi të lërë burgun të mbahet nën vëzhgim.
“Edhe pas kryerjes së dënimit, edhe gjatë dënimit, duhet të monitorohen për të vlerësuar rrezikshmërinë e tyre dhe përgjegjshmërinë. Duhet vlerësuar sa janë të ndërgjegjshëm për atë që kanë bërë dhe se sa janë penduar”, shprehet Bejleri.
Në fakt, statistikat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se tre vitet e fundit 250 persona të shpallur fajtorë për dhunë në familje e kanë përsëritur sërish të njëjtën vepër. Megjithatë, zonja Bejleri shton se qendrat pritëse për gratë që jetojnë nën një strehë me dhunuesin, duhet të kenë rol më integrues për viktimat e dhunës.
“Duhet të ketë një koordinim më të mirë ndërmjet strukturave sociale, shtetërore dhe atyre ligjzbatuese. Përsa i përket organeve policore, mendoj se duhet të ketë rritje të numrit të punonjësve të policisë që trajtojnë rastet e dhunës në familje”, thotë Bejleri.
Top Channel