Vrasja e gjykatëses, ish-burri pranon krimin në Gjykatë

03/09/2017 00:00

E vrau ish-gruan në një krim pasioni dhe nuk shfaqi asnjë fije pendese në gjykatë. Fadil Kasemi, pranoi para Gjykatës se e kishte vrarë Fildes Hafizin, nënën e dy fëmijëve të tij, e më pas ishte dorëzuar. Ai akuzohet për vrasje, rrëmbim personi dhe armëmbajtje dhe sipas ligjit dënohet me burgim të përjetshëm duke mos u pranuar gjykimi i shkurtuar.

Fadil Kasemi nën akuzë për vrasjen e ish-bashkëshortes Fildes Hafizi është i akuzuari i parë pas ndryshimeve ligjore të Reformës për Drejtësi, ndaj të cilit nuk do të aplikohet gjykimi i shkurtuar për shkak se krimi në familje tashmë dënohet me burg përjetë.

I vetmi moment kur 53-vjeçari theu heshtjen ishte çasti kur prokurori lexoi tre akuzat ndaj tij mes tyre edhe atë të pengmarrjes së Klodian Tafës, të cilin e kërcënoi se do ta vriste nëse nuk e largonte nga vendngjarja.

“Vrasjen dhe armëmbajtjen i pranoj, por rrëmbimin jo. U dorëzova vetë”, u shpreh Kasemi, qetësia e të cilit ka lënë pa fjale edhe avokatin që i caktoi shteti.

Siç rezulton martesa e çiftit, prindër të dy fëmijëve  mori fund me kërkesë të të ndjerës në maj 2015.  Dy muaj më pas ish-partneri tentoi ta vriste njeriun me të cilin kishin ndarë së bashku  më shumë se 15 vjet.

Fildes Hafizi shfaqet po ashtu e palumtur dhe e shqetësuar edhe në tetor 2016, në ditën e saj më të rëndësishme profesionale për të cilën ishte përpjekur shumë, ajo e diplomimit si magjistrate.

Përveç dëshmitareve okularë të cilët kanë pare se si u qëllua me arme 39 vjeçarja menjëherë sapo doli nga një sallon bukurie, prokuroria do të pyesë edhe të afërm të saj të cilët janë në dijeni të kërcënimeve të herëpashershme ndaj saj.

Top Channel