Sherr me thika për lojën me letra, plagoset adoleshenti

03/09/2017 00:00

Një sherr mes dy të rinjve në qytetin e Elbasanit, ka përfunduar me plagosjen me thikë të njërit prej tyre. Ngjarja mësohet të këtë ndodhur në lokalin e fshatit Hajdaran për motive banale, ndërsa policia ka arrestuar autorin.

Personi qe ka mbetur i plagosur është Shaban Xhafa, ndërsa autori i ngjarjes është Olti Yzeiri.

Nga të dhënat e para thuhet se ata po luanin me letra në momentin që ka nisur sherri mes tyre fillimisht me grushte, e ndërsa ka përfunduar në plagosjen me thikë të Shaban Xhafa, nga Olti Yzeiri.

Mësohet se Policia e Elbasanit, brenda 20 minutave ka kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar të plagosjes me thikë në fshatin Hajdaran.

Sipas policisë, gjatë lojës shtetasi SH.XH., 18 vjeç ka debatuar fillimisht me fjalë me shtetasin O.Y., 18 vjeç, se cili prej tyre do futej në lojë dhe më pas dyshohet ta ketë goditur me grushte.

Në konflikt e sipër 18 vjeçari O.Y ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar në brinjën e djathtë 18 vjeçarin SH.XH.

Shtetasi SH.XH, ndodhet në Spitalin Kirurgjik Elbasan, nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore të Specialistëve të Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u bë arrestimi i të dyshuarit të kësaj ngjarje 18 vjeçarit O.Y.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Top Channel