Forcat amerikane zhvillojnë një tjetër operacion në Karaibe, shkon në gjashtë numri i anijeve cisternë të sekuestruara Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Kongresit 7.8 miliardë dollarë si pagesë fillestare për ripërtëritjen e dëmeve të shkaktuara nga uragani “Harvej” në Teksas dhe Luiziana.
Autoritetet amerikane kanë deklaruar se kërkesa për fonde të tjera do të bëhen kur bilanci i dëmeve të shkaktuara nga uragani do të përfundojë.
Ndërkohë, disa rezidentë janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre, por ujërat janë ende të pranishme dhe në disa zona niveli i tyre vijon të rritet. Vetë presidenti Trump do të vizitojë Teksasin për herë të dytë këtë të shtunë.
Uragani zbarkoi në këtë shtet një javë më parë, duke sjellë përmbytje shkatërruese. Nga kjo dukuri natyrore llogaritet të kenë humbur jetën 47 persona, ndërsa 43 mijë të tjerë janë evakuuar duke u vendosur nëpër strehime të tjera.
Në një letër dërguar zëdhënësit të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, drejtori për buxhetin në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney paralajmëroi se dështimi në rritjen e tavanit të borxhit mund të kthehet në një pengesë serioze për përpjekjet për riparimin e dëmeve.
Tavani i borxhit është një kufi që vendoset mbi huatë që mund të kërkojë qeveria amerikane dhe këtë kufi mund ta ngrejë vetëm Kongresi.
Ndërkohë, guvernatori i Teksasit, Greg Abbott ka deklaruar se shtetit mund t’i nevojiten mbi 125 miliardë dollarë ndihma.
Top Channel