Veliaj: Në dy vitet e ardhshme fokusi te fshati

31/08/2017 00:00

Qendra e fshatit Pëllumbas dhe rruga hyrëse janë transformuar tërësisht duke e shndërruar këtë zonë në një nga pikat më të bukura të eko-turizmit shqiptar që do të tërheqë mjaft turistë vendas dhe të huaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të një nga ndërhyrjeve më të rëndësishme në kompleksin turistik Pëllumbas që i hap rrugën dhe një faze të re të turizmit të aventurës në Tiranë.

Veliaj deklaroi se investime të tilla janë një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e këtyre zonave. “Kemi nevojë për njerëz që kur shohin një problem, shohin gjithashtu një mundësi. Pavarësisht se këtu përpara disa muajsh ishte një zonë, e cila vetëm me llaf goje rrifej nga turistët, dikush pa një mundësi. Ndaj, dua të falënderoj gjithë organizatorët për punën fantastike që kanë bërë, duke na ftuar edhe ne të tjerëve që të jemi pjesë e këtij kontributi”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës në dy vitet e ardhshme do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale. “Angazhimi i Bashkisë së Tiranës është që në dy vitet e ardhshme fokusin më të madh ta kemi tek fshati. Besoj se na keni parë nga shkolla në Shëngjergj, tek rrugën në Zall-Herr. Tek investimet që po bëjmë në zonat periferike të Tiranës, sepse besojmë vetëm kur punohet  me të njëjtë cilësi si në sheshin “Skënderbej”, si në Pazarin e Ri, si në Pëllumbas, si në Kërrabë, vetëm atëherë mund të themi që qyteti po ecën me të njëjtën cilësi”, tha ai.

Në fshatin Pëllumbas u inaugurua dhe hapja e zyrës së menaxhimit të turizmit si dhe u prezantuan disa nga gatimet tradicionale të zonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA