Kollçaku merr zyrtarisht detyrën: Më shumë mbështetje për FA

31/08/2017 00:00

Pas ceremonisë dhe dorëzimit të flamurit, shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku mori paraditen e së enjtes zyrtarisht detyrën.

Në fjalën e mbajtur, ai renditi si prioritet të punës së tij edhe sensibilizimin e institucioneve për të mbështetur më shumë FA në realizmin e objektivave.

“Nuk do të rresht për asnjë moment së sensibilizuari institucionet civile për të mbështetur më shumë FA në realizmin e objektivave, me qëllim rritjen e shkallës së reagimit dhe përgatitjes profesionale. Gjithahstu do të forcojmë më shumë bashkëpunimin ndërinstitucional, me qëllim që FA të jenë më pranë popullatës në rast nevoje”, deklaroi Kollçaku.

Ndërsa Mimi Kodheli, në fjalimin e fundit si ministre e Mbrojtjes bëri një përmbledhje të punës katërvjeçare për transformimin e FA, punë gjatë së cilës sipas Kodhelit ka patur edhe pengesa të qëllimshme.

“Gjatë përpjekjeve tona kemi patur edhe pengesa të qëllimshme, siç ishte lënia e vendit 10 muaj pa shef të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Por sot vendi ka hyrë në normalitetin që duhej të kishte dhe që meriton, larg preferencave personale. Falenderoj kryeministrin dhe presidentin Ilir Meta për bashkëpunimin në zgjedhjen e shefit të ri të Shtabit të FA”, tha Kodheli.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta