Video/ “Dëgjuam një shpërthim të fortë”, zjarr masiv në një qytet të Holandës, raportohet për të lënduar
Ekipi i prokurorit special, Robert Mueller po bashkëpunon me kryeprokurorin e ri të Nju Jorkut, Eric Schneiderman në hetimin ndaj Paul Manafort dhe transaksioneve të tij financiare.
Lajmi bëhet i ditur nga disa persona me njohuri mbi këtë çështje, ndërsa bashkëpunimi konsiderohet si sinjali më i fundit, se hetimi federal ndaj ish-kreut të fushatës së presidentit Donald Trump po intensifikohet.
Ky bashkëpunim mund t’i japë gjithashtu Muellerit mundësi të reja për ta detyruar Manafortin të bashkëpunojë në hetimin më gjithëpërfshirës ndaj fushatës së Trumpit, pasi shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka fuqi për të falur dikë për krime shtetërore.
Dy ekipet kanë ndarë provat mes tyre dhe kanë biseduar vazhdimisht gjatë javëve të fundit. Njëri prej burimeve thotë se ekipet e Mueller dhe Schneiderman kanë mbledhur prova mbi krimet financiare, përfshi edhe për pastrim të mundshëm parash.
Ende nuk është marrë asnjë vendim nëse do të ngrihen akuza. “Asgjë nuk mund të përjashtohet”, tha njëri prej informatorëve me njohuri mbi çështjen.
Manafort nuk është akuzuar për ndonjë shkelje, ndërsa në të kaluarën ka mohuar të ketë bërë ndonjë gjë gabim. Një zëdhënës i Manafortit nuk ka komentuar mbi këtë raport mediatik, sikurse nuk ka pasur reagim as nga zyra e Mueller dhe as nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut.
Njerëz pranë Manafortit thonë se hetuesit i kanë bërë presion atij, duke iu afruar pjesëtarëve të familjes dhe ish-partnerëve të biznesit. Një numër firmash të tjera dhe njerëzish që kanë punuar me të kanë marrë gjithashtu fletëthirrje.
Agjentët federalë kryen një bastisje në orët e para të mëngjesit në fund të korrikut në shtëpinë e Manafort, duke sekuestruar dokumente dhe sende të tjera. Manafort nuk u bëri rezistencë kërkimeve, tha zëdhënësi i tij, Jason Maloni, në kohën kur ndodhi bastisja.
Prokurorë shtetërorë dhe federalë besojnë se mundësia e faljes nga presidenti mund të ndikonte te fakti nëse Manafort do të vendoste të bashkëpunonte me hetuesit në hetimin federal ndaj Trump. Por, teksa shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka lënë të kuptohet në publik se mund ta falë Manafortin, apo cilindo të përfshirë në hetimet ndaj Rusisë, Trump ka diskutuar privatisht mbi fuqitë e tij për të falur me këshilltarët e tij të afërt.
Top Channel