Nis ndërtimi i këndit të radhës të lojërave në Sauk

30/08/2017 00:00

Kreu i bashkisë Erjon Veliaj ka inspektuar sot nisjen e punimeve të këndit të radhës në Sauk, një kreacion për fëmijët dhe të moshuarit.

“Në 20 vitet e fundit në Sauk nuk mbahen mend të jenë bërë kaq shumë investime. Kemi hapur disa kantiere, disa të tjera kanë përfunduar, siç është Rr. “Herman Gmeiner”, kurse Rr. “Danish Jukniu” ka pak ditë që ka filluar. Po punohet në disa blloqe, te Rr. e “Osmëve” dhe disa të tjera, ndaj besoj se i kemi dhënë përgjigjen e duhur të gjithëve, për të mos e lënë Saukun një periferi dhe jashtë qendrës së vëmendjes, por e kemi kthyer në një kantier që tregon se bashkia punon me të njëjtin ritëm e të njëjtën shpejtësi, si në qendër të Tiranës, ashtu edhe periferinë e Saukut, për ta trajtuar si një lagje të mirëfilltë të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Që investimi të mbarojë në kohë dhe që ai të ketë jetëgjatësi, kreu i bashkisë kërkoi edhe bashkëpunimin e banorëve që të heqin vetë pengesat apo muret e tyre rrethuese dhe t’i hapin rrugë zbatimit të plotë të projektit.

“Siç e shihni, investimi ka nisur dhe jemi në rrugë të mbarë. Do e mbarojmë besoj brenda një muaji, ama do hiqen edhe çibanët që janë në trupin e këtij investimi. Tahmaja e dikujt për të rritur pak mirëqenien e vet, duke ia bërë jetën më të vështirë të tjerëve, është diçka e paqëndrueshme, sepse në thelb hyjmë secili në një garë për të prekur fundin, ndërkohë që duhet të hyjmë në një garë për të kapur majën; pra, një hapësirë demokratike, të pastër, të gjelbër, që është në funksion të të gjithëve”, shtoi Veliaj.

Këndi rekreativ që po ndërtohet do të ofrojë mundësi argëtimi për fëmijët dhe hapësirat e nevojshme çlodhëse për moshën e tretë. Ai kufizohet nga rruga “Herman Gmeiner” dhe “Selim Brahja” dhe ndërtohet në një hapësirë që ka qenë totalisht e degraduar. Përveç investimit në krijimin e këndit çlodhës, është parashikuar sistemimi i kanaleve të ujërave të shiut, trotuaret, gjelbërim, asfaltim i rrugës, krijimi i 15 vendeve për parkim, një prej të cilëve do jetë për persona me aftësi të kufizuara. Këndi i lojërave për fëmijë që do të ndërtohet në Sauk është i treti në Njësinë 2.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA