
Prej më shumë së një jave, uniformat blu në mbarë vendin kanë vënë në zbatim planin e masave kundër ndërtimeve pa leje, që nga analizat e zhvilluara kohët e fundit rezulton në rritje dhe problematik.
Në vetëm 8 ditë, uniformat blu kanë konstatuar në mbarë vendin më shumë se 200 ndërtime pa leje, duke proceduar në gjendje të lirë dhjetëra persona. Plani i masave parashikon edhe verifikimin në terren të lejeve të dhëna nga pushteti lokal, pasi janë vënë re abuzime, duke tejkaluar sipërfaqen e lejeve të ndërtimit.
Kryesisht në gjendje të lirë janë proceduar personat që kanë ndërtuar mure rrethues ose shtesa objektesh pa leje, ndërsa plani i masave parashikon detyra konkrete për çdo efektiv dhe zinxhirin drejtues të komisariatit, të cilët në rast të mospërmbushjes së detyrës do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
Deri më tani, 8 punonjës policie janë pezulluar ose përjashtuar për neglizhencë ndaj këtij fenomeni, mes tyre edhe 2 shefa komisariatesh. Edhe nr. 1 i policisë Haki Çako ka paralajmëruar se plani I masave kundër ndërtimeve pa leje është i ngjashëm me atë kundër kanabist, për t’i dhënë fund këtij fenomeni.
Top Channel