Ndalimqarkullimi në Houston, vjedhje pas përmbytjeve

30/08/2017 08:15

Në Houstonin e përballur me përmbytje katastrofike, gjatë natës është vendosur ndalimqarkullimi për të ndaluar grabitjet. Vet kryebashkiaku Sylvester Turner e pranoi se, një masë e tillë në qytetin e katërt më të populluar të Shteteve të Bashkuara është paraqitur si domosdoshmëri.

Ndalimqarkullimi nis nga mesnata e vazhdon deri në 5 të mëngjesit, me orën lokale. Prej tij përjashtohen vullnetarët në përpjekjet e ndihmës, dhe ata që shkojnë në punë.

Sipas Turner, vendimi ishte i nevojshëm për të parandaluar dhunimin e pronës dhe akte të mundshme kriminale. Ka pasur disa raporte për vjedhje, grabitje të armatosura, e persona që hiqeshin si efektivë policie.

“Qëndrimi nëpër rrugë në orët e vona të mbrëmjes është i rrezikshëm. Ka shumë njerëz të larguar nga shtëpitë e tyre, të cilët tani janë nëpër strehime. Nuk dua që ata të shqetësohen se dikush po u hyn në shtëpi e po i vjedh”, tha Sylvester Turner, kryetar bashkie i Houstonit.

Presidenti Donald Trump ishte në Teksas të martën për të parë nga afër dëmet e stuhisë, të cilën e etiketoi si “epike”. “Harvey” ka sjellë mbi këtë shtet nivel rekord reshjesh, duke lënë pjesë të tëra të Houstonit të mbuluara nga uji, shtëpi të shkatërruara e mbi 20 të vdekur.

Përpara se të shkonte në Teksas, Trump premtoi se qeveria federale do të ofronte të gjithë asistencën dhe ndihmën financiare që do t’i nevojitet këtij shteti, por edhe atij fqinj Louisiana, për t’u rimëkëmbur nga dëmet e shkaktuara nga furtuna.

Në axhendën e tij nuk ishte planifikuar një vizitë në Houston. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump planifikon të bëjë një udhëtim të dyte drejt Teksasit, ditën e shtunë. Mendohet se deri në fundjavë, stuhia do të jetë zhvendosur drejt veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA