Dy persona të armatosur u kanë zënë pritë në rrugën Lushnje-Ballagat gjatë natës tre të rinjve. Autorët i kanë ndaluar dhe i kanë dhunuar, ndërsa u kanë marrë makinën tip “Volkswagen” me targë AA 580 IH dhe janë larguar në drejtim të Peqinit.
Tre të lënduarit nga përplasja me autorët janë Amarildo Shabani, 18 vjeç, Daniel Salliu 18 vjeç dhe Florenc Pushka, 20 vjeç, nga fshati Gjocaj i Peqinit. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur orës 23:10, në rrugën Lushnje-Ballagat, në afërsi të fshatit Garrunjas.
Mjeti me targa AA 580 IH që u grabit drejtohej nga Daniel Salliu, banues në Peqin, ndërsa dy të tjerët ishin pasagjerë. Daniel Salliu nga përplasja me autorët është plagosur me një plumb rikoshet dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy të tjerët janë goditur me mjete të forta.
Nga krehja e zonës është gjetur i braktisur në Peqin mjeti tip “Volkswagen” me targa AA 580 IH. Janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe vazhdon krehja e zonës, por ende pa rënë në gjurmët e autorëve. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel