
Rruga e vështirë e malit të Tomorit bart me vete edhe kënaqësinë e pelegrinazhit në këtë vend të shenjtë. Historia fillon me Abaz Aliun, flamurtari i betejës së Qerbelasë, ku ai luftoi për barazinë, të drejtën dhe demokracinë.
Ndërkohë që martiri e la kokën e tij në Qerbela, në malin e Tomorit ndodhet një nga vendet e kultit kushtuar atij, vend në të cilin shqiptarët që ndjekin ritet e bektashizmit bëjnë pelegrinazh dhe kurbanin që i paraprin çdo të keqeje.
Pelegrinazhi i mijëra njerëzve është homazhi për bektashinjtë e mëdhenj si Naim Frashëri, baba Myrtezaj i Krujës, baba Qamil Gllava, apo baba Ali Tomori.
“Nëse vjet kanë qenë 150 apo 200 mijë, sivjet ka një numër më të madh. Kryegjyshata Botërore si çdo vit ka marrë masa edhe me infrastrukturën e rrugët. Plus kësaj s’ka pasur ujë, megjithatë ne jemi munduar të ketë ujë në të gjitha çezmat. Kryegjyshata ka filluar themelet edhe të një thertoreje tjetër”, tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj, kryegjyshi botëror.
I pranishëm, presidenti Ilir Meta kujtoi kohën kur para 25 vitesh çeli traditën e ndërprerë të pelegrinazhit.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jem sot dhe të shoh këtë pjesëmarrje të jashtëzakoshme, që unë personalsht nuk do ta kisha imagjinuar 25 vite më parë, kur bashkë me kryegjyshin e atëhershëm botëror të bektashinjve, Baba Reshatin, erdhëm këtu për të rifilluar një traditë të ndërprerë për disa dekada”, tha presidenti Ilir Meta.
Pelegrinët, të ardhur nga e gjithë Shqipëria por edhe nga jashtë, kanë vendosur çadrat që prej 19 gushtit, e një pjesë do të qëndrojnë deri në përfundim, në datën 25 gusht.
Ngjitemi për në majën më të lartë të malit të Tomorit, ku është edhe tyrbja e Abaz Aliut. Jashtë saj ndizen qirinj për familjarët e njerëzit e dashur, ndërsa brenda në tyrbe njerëzit kryejnë ritualet pranë vendit të kultit që mban emrin e tij.
Dukshëm edhe këtë vit, mali i shenjtë i Tomorit është i mbushur plot me pelegrinë, për të sjellë me vete nderimin e tyre ndaj imamit Abaz Ali, por njëkohësisht edhe për të shpërndarë vlerë dhe dinjitet njerëzor, së bashku me tolerancën fetare të rrënjosur thellë në traditën e besimit bektashi.
Top Channel