Kukës, projekt për kthimin e Kalasë së Pecës në zonë turistike

23/08/2017 00:00

Bashkia e Kukësit, së bashku me Institutin e Arkeologjisë, kanë nisur një projekt për risjelljen në një formë të vlefshme të kalasë dhe qytezës antike të Pecës, e cila veç vlerave historike ka për qëllim të tërheqë edhe turistë.

“Turistët e huaj i kemi parë që kërkojnë objekte të trashëgimisë kulturore. Këto janë në rrënjët tona, qoftë edhe të Kukësit, sikurse edhe i të gjithë zonës përfshi edhe Kosovën. Kjo është një kala me një histori shumë të vjetër. Ne do t’u tregojmë të gjithëve që këtu ka një trashëgimi kulturore shumë të pasur”, tha Bashkim Shehu, kryebashkiak i Kukësit.

Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë që kryeson këtë projekt, thotë se Kalaja e Pecës ka vlera të jashtëzakonshme për sa i takon origjinës dhe emrit të vjetër të vet qytetit të Kukësit.

“Studimet e kryera në Kalanë e Pecës kanë treguar se vet emri i Kukësit ka zanafillën në këtë kala. Bëhet fjalë për zbulimin e një mbishkrimi që daton rreth 1.600 vite përpara, që ka të stampuar emrin e vjetër Kukës që është zbuluar në këtë kala. Natyrisht këtu jeta ka filluar shumë më herët. Gërmimet kanë treguar se jeta ka filluar që në shekullin VI-V para Krishtit”, thotë profesor doktor Luan Përzhita.

Punimet për rivitalizimin e kalasë dhe qytezës antike të Pecës do të shtrihen në një hark kohor prej 4 vitesh. Projekti përfshin rindërtimin e mureve rrethuese, atë të kishës, kullën e vrojtimit, një urë lidhëse, si dhe rrugën. Kalaja e Pecës ndodhet pranë lumit Drini i Bardhë, në një pikë strategjike, e që sot rrethohet nga liqeni i Fierzës.

Top Channel