Çako: Kontroll territorit, nuk do të lejohen tolerime

22/08/2017 00:00

Haki Çako mblodhi në një takim vartësit e tij në qarqe dhe shefat e komisariateve, të cilët i kritikoi për neglizhencë në kontrollin e territorit.

Ndonëse vlerësoi masat për sezonin turistik dhe luftën ndaj kanabisit, kryepolici foli për një sërë problemesh që lidhen me veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës.

Çako tha: “Vihet re një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e fenomenit të veprave penale që cënojnë regjimin juridik të tokës, të tilla si ndërtimet e paligjshme, pushtimet e tokës, pronës si publike dhe private, ambienteve publike, prerja e paligjshme e pyjeve, drurëve frutore, peshkimi i ndaluar, shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe mjedisit, ndotja e ujërave”.

Çako tha se për të vënë situatën nën kontroll do të hartohet një plan i ngjashëm me atë të kanabisit si dhe paralajmëroi penalizime në rast neglizhence gjatë ushtrimit të detyrës.

“Do të ketë edhe procedime për shefat dhe gjithë zinxhirin dhe deri ku shkon përgjegjësia”, deklaroi Çako.

Për ndërtimin e një lavazhi pa leje, pranë Liqenit Artificial, të hënën u përjashtua nga policia efektivi që mbulonte zonën si dhe u pezulluan nga detyra shefi i komisariatit nr. 1 si dhe patrulla që monitoronte atë territor ku kryhej ndërtimi.

Top Channel