
Tajar Kazanxhi, 70 vjeç, është penduar për vrasjen e bashkëshortes, por kjo pendesë nuk i vlen për asgjë tashmë.
I moshuari shpërtheu në lot sapo gjyqtarja Irena Gjoka filloi ta pyeste për gjeneralitetet, ndërkohë që për shkak të tronditjes psikike disa herë gjyqarja ju lut që të qetësohej.
“Gjithë jetën kam punuar, por fati i keq më ndoqi pas. Tani që vrava Tashën time, nuk dua të jetoj më. Dua të vras veten”, u shpreh burri nga fshati Plug. Ai nuk mundi ta shpjegojë dot dinamikën e krimit në familje, por momentin kur qëlloi me sqepar Natasha Kazanxhin e përshkroi si një errësim të mendjes dhe kapërcim të gjakut.
“Nga martesa e parë nuk kisha fëmijë. Me Natashën u martova para një viti. Gjithë jeta ime ishte ndërtimi i një shtëpie, por gjithçka e shkatërrova në një moment”, tha i akuzuari.
Tajar Kazanxhi kujtoi se debatet në familje kishin nisur në momentin kur Natasha këmbëngulte që shtëpinë t’ia kalonte në pronësi djalit të saj.
“Teksa po pastronim shtëpinë e të bijës që jeton në Greqi, Natasha më tha se do të më përzinte nga shtëpia nëse nuk firmosja letrat. Unë në nerva e sipër ju përgjigja duke i flakur sqeparin”, tregoi 70-vjeçari.
I moshuari i tha gjyqtares se tashmë që u kthye në vrasës të njeriut që deshi më shumë në jetë, do t’ia plotësojë asaj dëshiren e fundit: “Tasha ime nuk jeton më, unë e vrava. Do ia plotësoj dëshirën. Shtëpinë ia fal djalit të saj”.
Me kërkesë të prokurorit Eneid Nakuci, gjykata vendosi masën arrest me burg.
Ndërsa avokatja e Tajar Kazanxhi tha: “Kërkuam ekspertim psikik. Ju e patë, gjatë gjithë procesit ai vetëm qante. Është i tronditur”.
Top Channel