
Një zjarr pasditen e së enjtes në Lushnjë ka rrezikuar djegien e dy institucioneve shtetërore. Shkaqet e zjarrit nuk dihen, por ai ka djegur 16 palmat e mbjella që në vitin 1926 nga Harry Fultz, i cili hapi në Lushnjë të parën shkollë bujqësore.
Zjarri ka djegur sipërfaqe të mbjella me agrume dhe ka rrezikuar dy banesa që kanë qenë fare afër. Flakët kanë rrezikuar gjithashtu dhe Institutin e Transferimit të Teknologjive Bujqësore dhe Drejtorinë e Bujqësisë Lushnjë. Sipas dëshmitarëve zjarrfikësit kanë ardhur me 30 minuta vonesë dhe kjo ka qenë fatale për palmat e rralla që për pak mbushnin një shekull.
Ndërhyrja e zjarrfikësve në vendngjarje ka eliminuar rrezikun e djegies së banesave dhe godinave shtetërore. Sipas drejtuesve te zjarrfikëses automjetet e tyre kanë qenë të angazhuara në një tjetër vatër zjarri.
Policia ka ndaluar një person dhe po merr në pyetje rojen e objektit për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë në Berat policia ka arrestuar një 42 vjeçar pasi i vuri zjarrin disa shkurreve që ndodheshin pranë plantacioneve me ullinj. Asqeri Pashallari është kapur në flagrancë kur tentoi të ndizte zjarrin.
Ndërhyrja e menjëhershme ka shmangur pasojat që mund të ishin të mëdha. Të arrestuarit i janë gjendur me vete 2 thika, ndezës, lupë zmadhuese dhe disa sende të tjera për t’i përdorur për ndezjen e zjarrit. Të gjitha materialet iu kaluan për hetim të mëtejshëm prokurorisë së qarkut Berat.
Zjarret nuk kanë kursyer mbrëmjen e së mërkurës as zonën pranë Kishës së Shen Ndoit në Laç. Ndërkohë që flaket kanë përshirë edhe lagjen Sanxhak po në Laç, ku janë rrezikuar disa banesa.
Top Channel