
Dymbëdhjetë dasmorë kanë përfunduar në spital pas një helmimi nga ushqimi i konsumuar në një lokal dasmash në Shijak.
Numri i personave me shqetësime shëndetësore pas dasmës ka qenë më i madh, por 12 prej tyre janë shtruar në repartin infektiv të spitalit rajonal të Durrësit, ku vazhdojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve.
“Nuk kuptuam asgjë. Darka ishte për mrekulli. Lokali ishte i pastër në maksimum. Shqetësimin e patëm ditën tjetër. Ishim mbi 20 krushq”, thonë pacientët.
Drejtuesja e këtij reparti, mjekja Nadire Jani thotë se pacientët janë paraqitur me çregullime dhe temperaturë të lartë, por gjendja e tyre është drejt përmirësimit.
“Është pranuar si intoksikacion alimentar (helmim nga ushqimi). Është lajmëruar Drejtoria e Higjienës, siç bëhet gjithmonë në të tilla raste”, shpjegon Jani.
Drejtoria e Higjienës, inspektorët e AKU-së, si dhe policia kanë nisur hetimet lidhur me ngjarjen, po marrja me vonesë e informacionit e ka bërë të pamundur sigurimin e mostrave ushqimore.
Në momentin e inspektimit nga specialistë të AKU-së nuk u gjetën ushqime të përgatitura dhe lëndë e parë. AKU-ja ka bërë bllokimin e restorantit ku u zhvillua dasma, i cili do të qëndrojë i mbyllur deri në daljen e analizave përfundimtare. Ndërkohë, policia ka nisur procedimin penal për pronarin e lokalit, një 57-vjeçar.
Top Channel