Mbyten dy të mitur në Liqenin e Shkodrës

17/08/2017 00:00

Pasditen e sotme janë mbytur në liqenin e Shkodrës dy të mitur, 13 dhe 15 vjeç. Ata ishin futur në liqen së bashku me 5 shokët e tyre dhe nuk kanë mundur të dalin më. Ngjarja ndodhi në fshatin Vrakë. Policia ka kërkuar ndihmën e polumbarëve të RENEA-s për të nxjerrë nga fundi i liqenit dy viktimat dhe ka marrë në pyetje të mbijetuarit.

Ngjarja ndodhi pak para orës 16:00 në vendin e quajtur Grilë, në zonën e Malësisë së Madhe. Dy viktimat, 13 dhe 15 vjeç, kushërinj mes tyre ishin së bashku me pesë të mitur të tjerë në një varkë të vogël rreth 50 metra larg bregut të liqenit.

Kur kanë arritur në thellësi, në një zonë pa bimësi janë hedhur të gjithë në ujë, por varkën e tyre e ka marrë rryma e liqenit.

Pesë të miturit e tjerë kanë mundur të dalin në breg me not, por jo dy kushërinjtë, të cilët në orën 17:45 janë nxjerrë në breg të pajetë nga banorët e zonës, peshkatarët dhe policia.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes thanë se të miturit janë trembur nga dallgëzimi dhe janë hedhur në ujë, por kanë humbur kontaktin me varkën, e cila është tërhequr nga era dhe dallgët larg tyre.

Policia e gjeti varkën bosh, ndërsa ka nisur hetimet për ngjarjen. Të pesë të miturit e tjerë janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa janë marrë në pyetje nga policia.

Ngjarja e rëndë mbërrin një ditë pasi asaj të ndodhur në plazhin e Zvërnecit, ku një 10-vjeçare humbi jetën e mbytur në ujërat e trazuara të Jonit. 

Top Channel