
Portonova, plazhi i egër në zonën e Zvërnecit në Vlorë është kthyer në zonën më të rrezikshme dhe famëkeqe në bregdet.
Pas tragjedisë së fundit kur humbën jetën dy vajza të afërme me njëra-tjetrën dhe një turist nga Tetova, sërish në këtë zonë ndodhi një ngjarje e rëndë.
Një tabelë lajmëruese vendosur së fundmi nuk është marrë parasysh dhe pikërisht aty, pasditen e kësaj të mërkure një 10-vjeçare nga Vlora është mbytur.
Nëna e saj dhe kushërira u shpetuan nga pushuesit e tjerë që ndodheshin në zonë.
Ata tregojnë se dy vajzat ndodheshin në ujë kur janë gjetur në vështiresi. Në drejtim të tyre ka shkuar nëna e viktimës, por nuk ka mundur të shpëtojë dot të bijën.
Policia në vendin e ngjarjes ka prangosur xhaxhain e të miturës që humbi jetën, sepse prej dëshpërimit ka tentuar të vetëmbytej në det.
Megjithë rrezikshmërinë që paraqet ky plazh i izoluar në Zvërnec, sërish aty shkojnë shumë pushues.
Një muaj më parë në të njëjtin vend humbën jetën kushërirat Manuela Maraj dhe Xhoana Cani. Në momentin që ato po mbyteshin në ndihmë të tyre shkoi 24-vjeçari nga Tetova, Beniamin Ferati, por asnjë nga të rinjtë nuk doli më në breg i gjallë.
Top Channel