Emergjencat: Vazhdojnë zjarret; Policia zbulon motivet

15/08/2017 00:00

Sipas Emergjencave Civile, vatrat e zjarrit pothuajse janë reduktuar. Për shuarjen e tyre, në 60% të territorit kanë ndikuar reshjet e shiut të datës 12 gusht. Po cilat janë vatrat aktive të 24 orëve të fundit?

“Aktive janë dy vatra zjarri në Gjirokastër, një në Delvinë, një në Finiq, një në Rrogozhinë dhe një në Vithkuq, që po monitorohen nga strukturat operacionale tokësore. Të gjitha vatrat janë nën kontroll. Po monitorohen që të mos riaktivizohen”, tha Shemsi Prençi.

Cili është parashikimi i Emergjencave Civile? A pritet një tjetër kërcënim nga zjarret në ditët në vijim?

“Ne mendojmë që deri në darkë do të mbyllim të gjithë vatrat e zjarrit, që të mos jenë aktive, ndërkohë që shërbimet meteorologjike kanë parashikuar rritje të temperaturave javën e ardhshme dhe harta dixhitale e e rrezikshmërisë së zjarreve në vendin tonë do të jetë në nivelin 70%, gjë që do të thotë se rreziku i zjarreve është evident dhe sipas Gjeoshkencës deri në mesin e muajit shtator, por jo në nivelin e ditëve të para të gushtit”, tha më tej Prençi.

Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, referuar Prokurorisë për periudhën 1 korrik-14 gusht, janë zbuluar 34 raste zjarrvënieje me 35 autorë, nga të cilët 12 janë arrestuar dhe ndaluar, 19 ndiqen në gjendje të lirë dhe 4 autorë janë shpallur në kërkim.

Zyrtarisht njoftohet se, për eliminimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit janë angazhuar 3.545 punonjës policie në bashkëpunim me punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri, Emergjencave Civile, pushtetit vendor dhe ushtrisë.

Ndërkohë, me porosi të prefektëve të qarqeve, në operacionet kundër zjarreve kanë marrë pjesë edhe 80 efektivë të FNSH-së. Sa i takon motiveve të zjarrvënies, Policia e Shtetit dyshon se janë “ripërtëritja e kullotave”, “personat që kanë marrë në përdorim pyjet, me qëllim shmangien e taksave”, “hapje tokash të reja” dhe “përdorimi i granteve për shëndetësim pyjor”.

Top Channel