Dyndje në Kapshticë, emigrantët kthehen nga Greqia për pushime

15/08/2017 00:00

Pika e kalimit kufitar të Kapshticës sërish ka regjistruar ngarkesë dhe fluks për emigrantët shqiptarë, të cilët kthehen në vend duke përfituar nga ditët e pushimit.

15 gushti, i cili përkon në shtetin grek me festën zyrtare të Shën Mërisë, ka shtuar numrin e lëvizjeve në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ndërsa autoritetet tona kanë kthyer edhe sportelet e daljes në hyrje, me qëllim normalizimin e situatës. 

Fluksi i lartë ka bërë që pavarësisht temperaturave të larta, gra, fëmijë dhe të moshuar të qëndrojnë në pritje për të kaluar kufirin. Situata aspak normale, sipas tyre, përsëritet çdo herë në raste festash.

“Vënë njerëz që nuk dinë të përdorin kompjuterin në doganë. Shumë vonesa. Është data 15 dhe ditë feste, prandaj ndodh kjo”, thonë qytetarët.

Pika e kalimit kufitar të Kapshticës është një prej pikave me numër më të lartë lëvizjesh, ku vetëm në 24 orët e fundit pala jonë në dispozicion të emigrantëve dhe qytetarëve që lënë Shqipërinë ka vendosur 6 sportele, ndërsa ajo greke ka punuar me 3 të tilla.

Top Channel